Secondary Adv

Bashkitë rritën fondet për tendera, por realizuan vetëm 14.4 për qind të investimeve

Bashkitë kanë përshpejtuar prokurimet dhe shpenzimet në vitin 2026, në prag të reformës territoriale dhe zgjedhjeve vendore të vitit të ardhshëm.

Në gjashtë muaj u shpallën 1,877 tenderë me fond limit 24.95 miliardë lekë, por deri në fund të qershorit ishte realizuar vetëm 14.4% e buxhetit të investimeve.


Bashkitë shqiptare historikisht kanë shfaqur problematika në realizimin e fondeve publike, veçanërisht të investimeve. Megjithatë, gjatë muajve të fundit është vërejtur një rritje e ndjeshme e fluksit të tenderëve dhe prokurimeve, ndërsa vendi ndodhet përpara një reforme të re territoriale dhe zgjedhjeve vendore që do të mbahen vitin e ardhshëm.


Shpenzimet vendore rriten me 15.3%

Të dhënat e Ministrisë së Financave tregojnë se në gjashtëmujorin e parë të vitit 2026, shpenzimet e pushtetit vendor arritën në 42.2 miliardë lekë, ose 15.3% më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Vetëm gjatë qershorit u shpenzuan 8.7 miliardë lekë, shumë 20% më e lartë se niveli faktik i një viti më parë dhe 4% mbi planin e muajit.


Sipas analizës së platformës Open Procurement Albania, gjatë periudhës janar–qershor 2026, bashkitë shpallën gjithsej 1,877 tenderë, me një fond limit total prej 24.95 miliardë lekësh. Krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2025, numri i procedurave është ulur lehtë, me 35 tenderë më pak nga 1,912 procedura, por vlera e fondeve të vëna në dispozicion është rritur ndjeshëm.


Në gjashtëmujorin e parë të vitit 2025, fondi limit i tenderëve të bashkive ishte 13.92 miliardë lekë. Brenda një viti, ai është shtuar me 11.03 miliardë lekë, ose 79.2%.


Vetëm 14.4% e buxhetit të investimeve është realizuar

Pavarësisht rritjes së prokurimeve, ecuria e investimeve mbetet e ngadaltë. Bashkitë realizuan rreth 7.92 miliardë lekë investime gjatë periudhës janar–qershor 2026, kundrejt një buxheti operativ prej 54.86 miliardë lekësh. Norma e realizimit rezulton vetëm 14.4%, dukshëm më e ulët se niveli teorik prej 50% që do t'i korrespondonte gjysmës së vitit.


Përqendrimi më i madh i fondeve të planifikuara dhe investimeve të kryera është në bashkitë Tiranë, Himarë, Durrës dhe Vlorë, të cilat zotërojnë së bashku rreth 63.5% të buxhetit të investimeve të të gjitha bashkive. Megjithatë, pesha e lartë në buxhet nuk është shoqëruar në të gjitha rastet me një nivel të lartë realizimi.


Tirana realizoi rreth 1.98 miliardë lekë investime, ose një të katërtën e totalit kombëtar. Kundrejt një buxheti prej 17.82 miliardë lekësh, norma e realizimit ishte vetëm 11.1%. Kamza renditet e dyta për vlerën e investimeve, me 1.14 miliardë lekë, por ka një performancë shumë më të lartë në raport me fondet e planifikuara, pasi ka përdorur rreth 66% të buxhetit të saj prej 1.73 miliardë lekësh.


Himara realizoi 703 milionë lekë investime, por kjo shumë përfaqëson vetëm 8.9% të buxhetit prej 7.89 miliardë lekësh. Në Durrës, nga një buxhet prej 4.85 miliardë lekësh, u realizuan 308 milionë lekë investime, ose vetëm 6.3%.


Lezha kryeson për realizimin e investimeve

Lezha paraqet normën më të lartë të realizimit ndër bashkitë me buxhet investimesh mbi 10 milionë lekë. Deri në fund të qershorit kishte përdorur 75.7% të fondeve të planifikuara. Pas saj renditen Kamza me 66%, Bulqiza me 61.3%, Vora me 53.2% dhe Këlcyra me 50.3%. Norma relativisht të larta realizimi kanë edhe Malësia e Madhe, Fushë-Arrëzi, Poliçani dhe Kukësi.


Në skajin tjetër të renditjes, Puka realizoi vetëm 127 mijë lekë nga 55 milionë lekë të planifikuara, ose 0.2%. Mirdita përdori 1.7% të buxhetit të investimeve, Vlora 4.2%, Korça 5.9% dhe Durrësi 6.3%. Libohova nuk raportoi investime të realizuara, ndërsa buxheti i saj për këtë zë ishte vetëm 370 mijë lekë.


Rreth 79% e projekteve nuk kanë regjistruar asnjë shpenzim

Problematika bëhet më e dukshme në nivel projektesh. Nga 4,586 projekte bashkiake të buxhetuara për vitin 2026, plot 3,634 prej tyre, ose rreth 79.2%, nuk kishin regjistruar asnjë shpenzim deri në fund të qershorit.


Projektet me realizim zero kanë një vlerë prej rreth 39.6 miliardë lekësh, ose 72.2% të të gjithë buxhetit të investimeve. Kjo tregon se niveli i ulët i realizimit nuk lidhet vetëm me ecurinë e ngadaltë të projekteve aktive, por edhe me numrin e madh të projekteve që nuk kishin nisur financiarisht gjatë gjysmës së parë të vitit.


Rrugët marrin 45% të investimeve të realizuara

Rrjeti rrugor mbetet fusha kryesore e investimeve të pushtetit vendor. Bashkitë shpenzuan rreth 3.56 miliardë lekë në këtë sektor, ose 45% të totalit të investimeve të realizuara.


Buxheti i planifikuar për rrugët ishte rreth 16.99 miliardë lekë, ndërsa norma e realizimit arriti në 21%. Megjithëse mbetet e ulët, ajo është më e lartë se mesatarja e përgjithshme prej 14.4%.


Pas rrugëve renditen shërbimet publike vendore, me 790 milionë lekë investime, arsimi bazë me 663 milionë lekë dhe administrimi e planifikimi me 537 milionë lekë. Këto katër fusha përqendrojnë së bashku rreth 70% të investimeve të realizuara nga bashkitë gjatë gjashtëmujorit të parë të vitit 2026.


Burimi: Monitor


Më të lexuarat